Thirrje publike për kontribut me përmbajtje edukative, Qendra Nacionale për Internet të Sigurt për Fëmijë dhe të Rinj – MkSafeNet
MkSafeNet – Së bashku drejt një hapësire digjitale më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë!
Të nderuar edukatorë, mësues të arsimit fillor dhe të mesëm, profesorë të arsimit të lartë. Të nderuar punonjës rinorë, përfaqësues të organizatave që punojnë me fëmijë dhe të rinj, përfaqësues të organizatave që punojnë për përmirësimin e arsimit dhe edukimit, si dhe përfaqësues të tjerë të sektorit civil.
Është nder për ne që edhe Ju të na bashkoheni në krijimin e Qendrës së parë Nacionale për Internet të Sigurt për Fëmijë dhe të Rinj – MkSafeNet. Qëllimi ynë është të kontribuojmë së bashku në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që interneti paraqet për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe për mbrojtjen e tyre në hapësirën digjitale.
Për ta bërë punën tonë më të suksesshme, na nevojiten materiale gjithëpërfshirëse informuese dhe edukative, të cilat shpresojmë t’i mbledhim së bashku me ju përmes kësaj thirrjeje dhe që do të shërbejnë si një bazë e përhershme njohurish.
Kjo bazë e njohurive e Qendrës MkSafeNet do të sigurojë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë qasje të lirë dhe të pakufizuar në materiale edukative, burime informuese dhe interaktive, të gjitha në një vend. Këto materiale do të ndihmojnë në krijimin e përvojave më të sigurta online dhe do të mbështesin me njohuri dhe informacione ata që kujdesen dhe punojnë me ta. Baza e njohurive gjithashtu do të shërbejë për informimin dhe edukimin e prindërve, kujdestarëve, mësuesve, edukatorëve dhe aktorëve të tjerë që punojnë me fëmijë dhe të rinj.
Si mund të kontribuoj?
Nëse gjatë pesë viteve të fundit keni zhvilluar materiale, ku ju ose institucioni juaj jeni autor ose bashkautor, dhe dëshironi t’i ndani me kolegët tuaj përmes licencës Creative Commons (CC), ju lutemi plotësoni formularin më poshtë. Materialet mund të dorëzohen në formate dhe gjuhë të ndryshme, duke bashkëngjitur një lidhje me burimin.
Mbrojtja e të drejtave të autorit me përdorimin e licencës Creative Commons (CC)
Licenca Creative Commons (CC) është njëra nga disa licenca publike për të drejtat e autorit që mundëson shpërndarjen e lirë të një “vepre” që është zakonisht e mbrojtur me të drejtat e autorit.
Më shumë rreth projektit:
Qëllimi kryesor i projektit MkSafeNet është të forcojë kapacitetet nacionale për të ofruar këshilla dhe mbështetje për fëmijët, të rinjtë, prindërit/kujdestarët, mësuesit dhe sektorin e arsimit, si dhe për aktorët e tjerë të interesuar, për çështjet që lidhen me përdorimin e teknologjive dhe shërbimeve digjitale nga fëmijët. Projekti synon gjithashtu të forcojë mbështetjen për viktimat e bullizmit kibernetik.
MkSafeNet do të realizohet gjatë një periudhe 18-mujore dhe përfshin një studim me një plan veprimi për detyrimet konkrete të çdo aktori të përfshirë, krijimin e një qendre për ndërgjegjësimin mbi kërcënimet në internet, një linjë ndihmëse (Helpline), një panel rinor dhe një bord këshillues.
Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian përmes programit Digital Europe (DEP) dhe Fondet Nacionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Letërnjoftimi i projektit
Numri i grantit: 101158811
Fillimi: 1 Shtator 2024
Kohëzgjatja e projektit: 18 muaj
Koordinator: Ministria për Transformim Digjital